Dr. Marsela Robo, Drejtor i Drejtorisë së Programeve Kombëtare në AKKSHI, mori pjesë në sesionin e radhës së "Turneu i Këshillit Evropian të Inovacionit” (KEN), që u zhvillua në Tiranë më 23 Korrik, një sesion informues lidhur me instrumentet më të reja në mbështetje të kërkuesve shkencorë dhe novatorëve dhe me fokus të veçantë tek aktorët e sektorit privat (si startup-et, NVM-të etj.)
Znj. Robo ishte pjesë e panelit të diskutimit në këtë aktivitet, së bashku me Ministrin e Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes Eduard Shalsi, Zv. Ministren e Financave dhe Ekonomisë Dajna Sorensen, Assist. Prof. Dr. Albana Halili, hulumtuese e përfituese në Programin Horizon 2020 dhe Dr. Luisa Prista, Drejtuese e Departamentit të EASME në Bruksel.
Programi i punës i Këshillit Evropian për Inovacionin (KEN) parashikon një mbështetje financiare prej rreth 2 miliardë Euro për vitin 2019-2020. Instrumentët kryesorë për mbështetje janë “Pathfinder”, i cili synon promovimin e bashkëpunimit në kërkimin ndërdisiplinor, si dhe “Accelerator” drejtuar startup-eve dhe sipërmarrësve, të cilët duan të ndërmarrin iniciativa për biznese novatore me rrezikshmëri të lartë.
Ky aktivitet u mundësua nga Komisioni Evropian në bashkëpunim me Delegacionin Evropian në Shqipëri dhe me mbështetjen e projektit “BE për Inovacionin", i cili synon të forcojë ekosistemin e novacionit dhe të promovojë e nxisë krijimin e startup-eve në Shqipëri