Më datë 22 Janar 2020, Agjencia Kombëtare e Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit (AKKSHI) dhe Projekti i Asistencës Teknike për Programet Evropiane në Shqipëri, në bashkëpunim me Institutin Italian të Kulturës në Shqipëri, organizuan në Tiranë një sesion një-ditor trajnimi mbi programin “Horizon 2020” të Bashkimit Evropian.
Ky sesion u fokusua tek mundësitë e shkëmbimit të praktikave më të mira gjatë menaxhimit të projekteve të fituara nga ky program, si dhe tek prioritetet që do të marë faza e ardhshme e tij në vitet 2021 – 2027.
Gjatë këtij takimi një rol të rëndësishëm patën prezantimet e përfaqësuesve të AKKSHI si dhe të Z. Bernhard Fabianek, Zyrtar për Politikat dhe Marrëdhëniet e Komisionit Evropian me Ballkanin Perendimor dhe Turqinë, në Drejtorinë e Përgjithëshme të Kërkimit dhe Inovacionit pranë Komisionit Evropian.
Z.Robert Dumi, Drejtor i Drejtorisë së Programeve Ndërkombëtare në AKKSHI, prezantoi zbatimin e marrëveshjes së H2020 si dhe aktivitetet e zhvilluara nga AKKSHI për të promovuar H2020.
Znj. Marsela Robo, Drejtore e Drejtorisë së Programeve Kombëtare në AKKSHI, në fjalën e saj u ndal në masat e marra për rritjen e kapaciteteve të kërkimit shkencor dhe inovacionit në Shqipëri.
Ndërsa në fjalinë e tij, Z. Sotiraq Guga, Drejtues i Projektit të Asistencës Teknike për programet Evropiane në Shqipëri, theksoi rëndësinë e pjesmarrjes së Shqipërisë në Programet Evropiane, si dhe bëri një prezantim të detajuar të fushave dhe prioriteteve që mbulon secili prej këtyre 9 programeve në të cilat mer pjesë aktualisht vendi ynë.
Më tej, ekspertët dhe specialistët e AKKSHI, shpjeguan në mënyrë të detajuar disa prej prioriteteve të programit dhe modalitetet e pjesmarrjes në thirje të ndryshme për propozime të tij, duke iu referuar prioriteteve dhe fushave që ai mbulon.
Në këtë trajnim morën pjesë rreth 30 përfaqësues të universiteteve shqiptare të cilët patën mundësinë të njihnin nga afër gjithashtu edhe disa praktika pozitive të universiteteve përfituese në programin “Horizon 2020” për periudhën 2014 – 2020.