Në datat 28-31 Janar 2020, Znj. Marsela Robo, Drejtor i Drejtorisë së Programeve Kombëtare, Znj. Lidjana Shahinaj dhe Znj. Alba Domi, në cilësinë e përfaqësuesve të Agjencisë Kombëtare të Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit (AKKSHI), morën pjesë në vizitën studimore që u organizua në Bruksel me mbështetjen e Projektit “Asistenca Teknike për Programet Evropiane në Shqipëri”.
Qëllimi i vizitës dhe takimeve të zhvilluara në institucione të rëndësishme të BE ( Komisioni Europian, Research Foundation Flanders, Fund for Scientific Research) dhe të programeve europiane (COST, Horizon 2020) ishte shkëmbimi i informacionit dhe përvojave më të mira në drejtim të rritjes së cilësisë së performancës së kërkuesve shqiptarë në programet e BE.
Znj. Marsela Robo vuri theksin në lidhjen më të mirë që duhet të krijohet midis programeve kombëtare dhe atyre europiane dhe informoi partnerët europianë lidhur ,e gjendjen aktuale si dhe disa masa që janë planifikuar të merren në këtë drejtim. Gjithashtu, gjatë takimeve u diskutuan edhe çështje si: a)Rritja e buxhetit për kërkimin shkencor; b) Zhvillimi i trajnimeve për kërkuesit shkencorë përsa i përket shkrimit të projekt propozimeve; c) Shkëmbimi i eksperiencave nëpërmjet intershipeve, të kërkuesve apo punonjesvë në sferën e kërkimit shkencor, në institucione si FWO; d) Përfshirja e kërkuesve nga europa në stafin e projekteve kombëtare të kërkim zhvillimit, gjë që do bënte të mundur një shtrirje më të gjërë të zbatimit të projektit dhe rezultateve të përftuara prej tij, por do ti hapte rrugë dhe bashkëpunimeve ndërkombëtare për të aplikuar më pas në projekte të ndryshme të financuara nga Komisioni Europian.