Ministria e Arsimit Sportit dhe Rinisë, me Agjencinë Kombëtare për Kërkim Shkencor dhe Inovacion (AKKSHI), në bashkëpunim me Ministrinë Federale të Shkencës, Kërkimit dhe Ekonomisë së Austrisë, në kuadër të Marrëveshjes për Bashkëpunim Shkencor dhe Teknologjik midis Republikës së Shqipërisë dhe Austrisë, hapën Thirrjen për projekt-propozime të përbashkëta kërkimore shkencore për periudhën 2021- 2023.
Kërkues nga të gjitha fushat e kërkimit dhe në të gjitha fazat e karrierës, të asociuar me një institucion kërkimor janë të ftuar të paraqesin projekt-propozimet e përbashkëta.
Koordinatorët e grupeve të kërkimit të secilit vend janë të lutur të dorëzojnë dokumentacionin e nevojshëm për aplikim, pranë institucioneve respektive. Për kërkuesit nga Shqipëria, institucion përgjegjës do të jetë Agjencia Kombëtare e Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit. Për kërkuesit nga Austria institucion përgjegjës do të jetë OeAD - Austrian Agency for international Cooperation in Education and Research.
Të gjithë të interesuarit, janë të lutur të aplikojnë duke mbushur kërkesat dhe formularët e aplikimit, në dokumentacionin bashkëlidhur kësaj thirrje:
· 3 kopje të projekt-propozimit formati bashkëngjitur në secilën gjuhë, shqipe dhe angleze;
· 3 kopje të CV të grupeve të kërkimit të të dyja vendeve ;
· 1 shkresë përcjellëse nga titullari i institucionit.
Dokumentat do të dorëzohen në versionin hard- copy, pranë Agjencisë Kombëtare për Kërkim Shkencor dhe Inovacion (AKKSHI), me adresë Rruga Naim Frashëri Nr.37, Tiranë, brenda afatit të parashikuar për këtë thirrje, 09.11.2020- 22.01.2021.
Projekt- propozimet do të shqyrtohen dhe me tej vlerësohen, sipas sistemeve të miratuara të vlerësimit në secilin shtet, ndërsa fituesi do të shpallet pas krahasimit të vlerësimeve në të dy shtetet.
Projekt- propozimet fituese, do të financohen për një afat kohor prej 2- vitesh, me grante të ndara për secilin vitit, të cilat do të jepen sipas kërkesës dhe në përputhje me tabelen financiare bashkelidhur në projekt- propozim.
Shuma e grantit për secilin vit, nuk do të jetë më lartë se 4000 EUR, te cilat do të konvertohen në ALL në momentin e financimit.
Vëmë në dukje se fondet që do të alokohen për qëllim të këtij projekti do të përdoren vetëm për qëlllimin e realizimit të mobiliteteve të kërkuesve. Nevojat për pajisje duhet të mbulohen nga institucionet e kërkimit me të cilin janë të asociuar kërkuesit.