Misioni

AKKSHI ka mision të vlerësojë, financojë, monitorojë dhe administrojë programet dhe projektet në fushën e shkencës, teknologjisë dhe inovacionit në Shqipëri dhe në nivel ndërkombëtar.

Vizioni

Vizioni i AKKSHI-t është të zhvillojë shkencën dhe teknologjinë në përputhje me prioritet kombëtare, duke bashkëpunuar me të gjithë institucionet dhe sektorët e linjës. AKKSHI kontribuon në krijimin e infrastrukturës dhe instrumenteve të përshtatshme që zbatojnë politikat e kërkimit dhe zhvillimit në Shqipëri, duke promovuar aktivitete dhe sipërmarrje që zhvillojnë shkencën, teknologjinë dhe inovacionin dhe duke luajtur një rol lider në krijimin e kulturës së kërkimit shkencor.

Detyrat Kryesore

AKKSHI ka mision mbështetjen, monitorimin dhe vlerësimin e programeve dhe të projekteve në fushën e shkencës, teknologjisë dhe inovacionit (SHTI), në shkallë vendi. Gjatë realizimit të misionit të tij, AKKSHI realizon detyrat e mëposhtme:

  • Bashkëpunon me ministritë dhe institucionet e tjera për zbatimin e strategjisë së SHTI-së dhe promovon kërkimin në këtë fushë.
  • Realizon financimin e programeve dhe të projekteve të SHTI-së, në përputhje me përparësitë e përcaktuara nga Këshilli i Ministrave dhe me vlerësimin e bërë nga komisionet përkatëse;
  • Zhvillon procedurat e aplikimit, të vlerësimit fillestar, monitorimit dhe vlerësimit përfundimtar të programeve dhe projekteve të SHTI-së;
  • Monitoron dhe vlerëson veprimtaritë e SHTI-së, në shkallë vendi;
  • Krijon dhe pasuron, në mënyrë të vazhdueshme, bazën e të dhënave, të analizës dhe dokumentacionit të sistemit të SHTI-së;
  • Ofron asistencë teknike për të gjitha institucionet në fushën e investimeve në SHTI;
  • Promovon ngritjen e strukturave të SHTI-së në të gjitha nivelet;
  • Promovon bashkëpunimin me sektorin privat në fushën e SHTI-së;
  • Promovon, ofron ekspertizë, bashkërendon dhe monitoron bashkëpunimin dy dhe shumëplanësh me BE-në, vendet e veçanta dhe organizatat e huaja, në fushën e SHTI-së;
  • Zbaton politikat e qeverisë për mbështetjen me përparësi të shkencëtarëve më të kualifikuar, të grupeve kërkimore dhe qendrave të ekselencës, në SHTI;
  • Zbaton politikat e qeverisë për nxitjen e pjesëmarrjes së studentëve dhe të shkencëtarëve të rinj në veprimtarinë e SHTI-së;
  • Zbaton politikat nxitëse të qeverisë për kthimin e trurit dhe rritjen e angazhimit të diasporës intelektuale shqiptare në zhvillimin e arsimit, të shkencës, administratës publike dhe sektorit privat në vendin tonë;
  • Ofron mbështetje teknike për institucionet ekzekutive, legjislative dhe institucionet e tjera, për përmirësimin e plotësimin e kuadrit të nevojshëm ligjor dhe nënligjor, në fushën e SHTI-së.