Në Bruksel u zhvillua aktiviteti me rastin e 30-vjetorit të IDEAL-IST, një prej rrjeteve më të konsoliduara evropiane të Pikave Kombëtare të Kontaktit (PKK) në fushën e kërkimit dhe inovacionit digjital. Shqipëria u përfaqësua në këtë rrjet përmes Pikës Kombëtare të Kontaktit për Cluster 4.

Aktiviteti mblodhi së bashku PKK nga të gjitha vendet, përfaqësues të Komisionit Evropian, koordinatorë, partnerë dhe ekspertë, duke sjellë në fokus tri dekada kontribut në forcimin e bashkëpunimit, shkëmbimit të ekspertizës dhe mbështetjes për komunitetin evropian të kërkimit dhe inovacionit.

Diskutimet u përqendruan gjithashtu në të ardhmen e rolit të PKK-ve në kuadër të Programit të ardhshëm Kuadër të BE-së, si dhe në rëndësinë e tyre për orientimin e aplikantëve, krijimin e partneriteteve dhe lidhjen e ekosistemeve të kërkimit dhe inovacionit.