Ministria e Arsimit dhe Agjencia Kombëtare e Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit hapin thirrjen për financimin e PROGRAMIT TË INFRASTRUKTURËS SË KËRKIMIT SHKENCOR – PIKSH 2027, për mbështetjen e projekteve që krijojnë, modernizojnë, zgjerojnë, integrojnë ose funksionalizojnë infrastrukturën e kërkimit shkencor në institucionet publike të arsimit të lartë. Thirrja mbështet investime që rrisin cilësinë, kapacitetin dhe konkurrueshmërinë e kërkimit, përmirësojnë përdorimin e përbashkët të burimeve dhe krijojnë ndikim të qëndrueshëm institucional e kombëtar.
Financimi jepet për infrastrukturë kërkimore dhe jo për realizimin e projekteve kërkimore të mirëfillta. Çdo propozim duhet të provojë nevojën e investimit, përdorimin shkencor, realizueshmërinë teknike, arsyeshmërinë financiare, aksesin e hapur dhe qëndrueshmërinë pas përfundimit të financimit.