Ndërkombëtare

Horizon Europe

Programi Kuadër i BE-së për Kërkimin dhe Inovacionin

Çfarë është

Horizon Europe është programi kryesor i Bashkimit Europian për kërkimin dhe inovacionin, me një buxhet prej 95,5 miliardë eurosh për periudhën 2021–2027. Ai mbështet projektet shkencore e teknologjike dhe bashkëpunimin ndërkombëtar mes universiteteve, instituteve kërkimore dhe sektorit privat.

Programi organizohet në tri shtylla:

  • Shtylla I — Shkenca Ekselente. Forcon bazën shkencore të BE-së, tërheq talentet më të mira dhe promovon kërkimin ekselent. Përfshin Këshillin Europian të Kërkimit (ERC), Veprimet Marie Skłodowska-Curie dhe shkencën në shërbim të politikave të BE-së nëpërmjet Qendrës së Përbashkët të Kërkimit.
  • Shtylla II — Sfidat Globale dhe Konkurrueshmëria Industriale Europiane. Mbështet kërkimin dhe inovacionin bashkëpunues në fusha me ndikim të lartë shoqëror, të organizuara në clustera tematikë, si dhe misionet e BE-së.
  • Shtylla III — Europa Inovative. Promovon inovacionin dhe mbështet ndërmarrjet e vogla e të mesme, ekosistemet e inovacionit dhe transferimin e teknologjive nga kërkimi drejt tregut.

Përveç tyre, pjesa horizontale Zgjerimi i Pjesëmarrjes dhe Forcimi i Zonës Europiane të Kërkimit synon të ulë hendekun kërkimor e inovativ ndërmjet rajoneve të Europës.

Statusi i Shqipërisë

Shqipëria është vend plotësisht i asociuar në Horizon Europe. Ky status i jep vendit një pozicion ekuivalent me shtetet anëtare të Bashkimit Europian për sa i përket pjesëmarrjes, me akses të plotë në të gjitha thirrjet dhe instrumentet e programit, në kushte të barabarta.

Marrëveshja hyri në fuqi më 30 maj 2022 dhe zbatohet me efekt prapaveprues nga 1 janari 2021, me fillimin e ciklit shtatëvjeçar të programit. Shqipëria merr pjesë në programet e BE-së për kërkim dhe inovacion që nga viti 2008.

Institucionet shqiptare janë veçanërisht aktive në pjesën e Zgjerimit dhe në clusterat 6 — Ushqimi, Bioekonomia, Burimet Natyrore, Bujqësia dhe Mjedisi; 2 — Kultura, kreativiteti dhe shoqëria gjithëpërfshirëse; dhe 1 — Shëndeti. Pjesëmarrja në shtyllën “Europa Inovative” mbetet më e ulët.

Kush mund të aplikojë

Universitete, institute kërkimore, biznese dhe institucione publike të vendosura në Republikën e Shqipërisë, në kushte të barabarta me aplikantët nga shtetet anëtare të BE-së, për shkak të statusit të vendit të asociuar. Kushtet specifike të pranueshmërisë përcaktohen në çdo thirrje.

Çfarë financon

Financimi vjen drejtpërdrejt nga Bashkimi Europian, sipas kushteve të thirrjes përkatëse. AKKSHI nuk është organ financues i këtij programi; roli i saj është koordinues dhe mbështetës.

Si të aplikoni

Thirrjet publikohen dhe aplikimet dorëzohen nëpërmjet Funding and Tenders Portal të Komisionit Europian.

Për orientim, aplikantët shqiptarë mbështeten nga Rrjeti i Pikave Kombëtare të Kontaktit (NCP), të cilin AKKSHI e koordinon nëpërmjet Drejtorisë së Programeve Ndërkombëtare. Rrjeti NCP është mekanizmi kryesor për informimin dhe mbështetjen e aplikantëve: Agjencia koordinon aktivitetet e pikave të kontaktit, shkëmben informacion e praktika të mira dhe organizon trajnime e takime periodike.

Agjencia organizon ditë informuese për Horizon Europe në institucionet e arsimit të lartë, institucionet publike, shoqërinë civile dhe biznes, dhe asiston kërkuesit shkencorë e stafet akademike — online dhe në takime — për hapat e aplikimit, buxhetin, marrëveshjet e grantit dhe raportimin.

Qeverisja e marrëveshjes

Marrëveshja monitorohet gjatë gjithë periudhës shtatëvjeçare mbi baza partneriteti. Neni 8 i saj parashikon Komitetin e Përbashkët BE–Shqipëri për Kërkim dhe Inovacion, i cili vlerëson zbatimin e marrëveshjes, pjesëmarrjen dhe performancën e personave juridikë shqiptarë, nivelin e hapjes reciproke, zbatimin e mekanizmit të kontributit financiar dhe shkëmbimin e informacionit mbi përdorimin e rezultateve, përfshirë të drejtat e pronësisë intelektuale.

Takimi i Komitetit zhvillohet një herë në vit, në mënyrë të alternuar midis Shqipërisë dhe Brukselit.

Në këtë faqe

Dokumente dhe vendime

  • Mundësitë për aplikim në Programin Horizon Europe

    PDF · 98 KB · 26.08.2026

    Shiko Shkarko

  • Kërkesë për shprehje interesi për pozicionin “Pikë Kombëtare e Kontaktit për programin Horizon Europe”

    PDF · 246 KB · 26.08.2026

    Shiko Shkarko

Si aplikohet

Udhëzuesi dhe formularët e programit publikohen më poshtë. Aplikimet pranohen vetëm brenda afateve të thirrjes përkatëse.

info@nasri.gov.al