Në këtë faqe
Çfarë është AKKSHI
Agjencia Kombëtare e Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit (AKKSHI / NASRI) është institucioni publik përgjegjës për financimin, mbështetjen, monitorimin dhe vlerësimin e programeve e projekteve në fushën e shkencës, teknologjisë dhe inovacionit në Republikën e Shqipërisë.
Agjencia administron instrumentet kryesore kombëtare të financimit të kërkimit shkencor dhe përfaqëson Shqipërinë në programet ndërkombëtare të kërkimit e inovacionit — Horizon Europe, COST, EUREKA, CEEPUS dhe EURAXESS — si dhe në bashkëpunimet dypalëshe me vendet partnere.
Historiku
Institucioni u krijua në vitin 2010 si agjenci publike për të mbështetur dhe financuar kërkimin shkencor dhe inovacionin në Shqipëri.
Në vitin 2016, pas hyrjes në fuqi të ligjit të ri për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor, agjencia u riemërtua Agjencia Kombëtare e Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit. Vetë institucioni mbeti i njëjti, duke ruajtur të njëjtën strukturë organizative, mision, fokus, objektiva dhe funksione. Prandaj Agjencia numëron veprimtari të pandërprerë në mbështetje të kërkimit dhe inovacionit që nga viti 2010.
Misioni
Misioni i Agjencisë është nxitja e kërkimit shkencor dhe e inovacionit në Shqipëri: duke financuar kërkimin mbi bazën e konkurrencës së hapur dhe të meritokracisë; duke e integruar sistemin shqiptar të kërkimit në Hapësirën Europiane të Kërkimit (ERA); dhe duke e vënë punën kërkimore-shkencore në funksion të zgjidhjes së problemeve e të ofrimit të alternativave për zhvillimin e vendit.
Funksionet
Sipas kuadrit ligjor në fuqi, Agjencia:
- Identifikon dhe përditëson fushat prioritare të kërkimit shkencor, teknologjisë dhe inovacionit;
- Shpërndan fondet për programet kombëtare të kërkimit shkencor, mbi bazën e projekteve të paraqitura nga institucionet e arsimit të lartë dhe institucionet publike e jopublike që kanë për objekt veprimtarie kërkimin shkencor;
- Organizon çdo katër vjet procesin e vlerësimit të veprimtarisë kërkimore-shkencore të njësive bazë të institucioneve të arsimit të lartë, duke i renditur mbi bazën e këtij vlerësimi;
- Miraton, mbi bazën e konkurrencës së lirë ndërmjet aplikantëve, fondet për projektet e studimeve të doktoratës;
- Administron dhe përditëson bazën kombëtare të të dhënave për kërkimin shkencor;
- Administron dhe publikon bazën e të dhënave me të gjitha projektet e financuara, në kuadër të programeve kombëtare dhe ndërkombëtare të kërkimit e zhvillimit;
- Promovon, koordinon dhe mbështet teknikisht bashkëpunimin shkencor dypalësh e shumëpalësh me vendet partnere, Bashkimin Europian dhe organizatat ndërkombëtare;
- Ofron informacion dhe rekomandime për Ministrinë e Arsimit dhe institucionet e tjera në hartimin e politikave sektoriale.
Programet
Programe kombëtare
- PKKZH — Programi Kombëtar i Kërkimit dhe Zhvillimit, programi themelues i Agjencisë, i nisur në vitin 2010.
- PIKSH — Programi i Infrastrukturës së Kërkimit Shkencor, i nisur në vitin 2019, që financon laboratorë dhe infrastrukturë kërkimore në universitetet publike.
- PTI — Projektet e Teknologjisë dhe Inovacionit, të nisura në prill 2023, që mbështesin projekte të përbashkëta ndërmjet universiteteve, bizneseve, qendrave kërkimore dhe institucioneve publike.
- Doktoraturat — Programi i Mbështetjes së Studimeve të Doktoratës, i nisur në vitin 2025.
Programe ndërkombëtare
Horizon Europe, COST, EUREKA, CEEPUS IV, EURAXESS, si dhe programet dypalëshe me vendet partnere.
Baza ligjore
- Ligj Nr. 109/2024, “Për Shkencën dhe Kërkimin Shkencor në Republikën e Shqipërisë”
- Ligj Nr. 80, datë 22.07.2015, “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë”
- VKM Nr. 607, datë 31.08.2016, “Për krijimin, përbërjen, organizimin dhe funksionimin e Agjencisë Kombëtare të Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit”, i ndryshuar
- VKM Nr. 542, datë 20.9.2023, “Për miratimin e Strategjisë Kombëtare për Kërkimin Shkencor, Teknologjinë dhe Inovacionin 2023–2030 dhe të Planit të Veprimit për Zbatimin e saj”
Kontakti
Agjencia Kombëtare e Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit Rruga “Naim Frashëri”, Nr. 37, 1023 Tiranë, Shqipëri info@nasri.gov.al · www.nasri.gov.al
Dokumente
- Raport Vjetor 2025 — AKKSHI
- Programi i Transparencës — AKKSHI
- NASRI Institutional Factsheet