Ndërkombëtare

COST

Bashkëpunimi Europian në Shkencë dhe Teknologji

Çfarë është COST?

COST (European Cooperation in Science and Technology – Bashkëpunimi Evropian në Shkencë dhe Teknologji) është një organizatë financuese që mbështet krijimin dhe zhvillimin e rrjeteve të kërkimit shkencor dhe inovacionit. Ajo ndihmon në ndërlidhjen e nismave kërkimore në të gjithë Evropën dhe më gjerë, duke u mundësuar studiuesve dhe novatorëve të zhvillojnë idetë e tyre në fusha të ndryshme të shkencës dhe teknologjisë, përmes shkëmbimit të njohurive dhe bashkëpunimit ndërkombëtar.

COST financon rrjete bashkëpunimi të quajtura Aksione COST (COST Actions), të cilat krijohen nga vetë studiuesit dhe kanë një kohëzgjatje prej katër vitesh. Këto rrjete bazohen në parimin ngaposhtë-lart (bottom-up), që do të thotë se temat dhe objektivat e tyre përcaktohen nga vetë komuniteti kërkimor.

Aksionet COST janë rrjete ndërdisiplinore që bashkojnë studiues, novatorë dhe profesionistë nga universitete, institucione akademike, institucione publike, organizata private dhe aktorë të tjerë përkatës. Ato synojnë të nxisin bashkëpunimin shkencor, inovacionin, shkëmbimin e njohurive dhe zhvillimin profesional të pjesëmarrësve.

Programi është i hapur për të gjitha fushat e shkencës dhe teknologjisë, përfshirë fushat e reja dhe ato në zhvillim. Ai krijon një mjedis gjithëpërfshirës ku studiuesit dhe novatorët, pavarësisht nga niveli i përvojës apo faza e karrierës profesionale, mund të zgjerojnë rrjetet e tyre ndërkombëtare dhe të krijojnë mundësi të reja për zhvillim profesional.

Shqipëria është anëtare me të drejta të plota e COST-it që prej vitit 2018. Ajo bën pjesë gjithashtu në grupin e vendeve të synuara për gjithëpërfshirje (Inclusiveness Target Countries – ITC), të cilat kanë intensitet më të ulët të kërkimit shkencor. Në kuadër të politikës së gjithëpërfshirjes, COST synon të rrisë pjesëmarrjen e studiuesve dhe institucioneve nga këto vende, duke u krijuar mundësi për bashkëpunim ndërkombëtar, shkëmbim njohurish dhe zhvillim të kapaciteteve kërkimore.

Objektivat

  • Të krijojë rrjete kërkimore të hapura dhe ndërdisiplinore që i japin shtysë përparimeve dhe inovacioneve kërkimore.
  • Të zgjerojë pjesëmarrjen në të gjithë Europën, me vëmendje të posaçme ndaj kërkuesve nga vendet me intensitet më të ulët kërkimi.
  • Të shërbejë si urë drejt instrumenteve të tjera të financimit: rrjeti i kontakteve i krijuar në një Aksion ndihmon ekipet të formojnë konsorciume për Horizon Europe dhe programe të tjera të BE-së.

Mbështetja që ofron COST

Bashkëpunimi Evropian në Shkencë dhe Teknologji (COST) krijon mundësi për zhvillimin e ideve, shkëmbimin e njohurive dhe forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në fushën e kërkimit shkencor dhe inovacionit.

COST financon rrjete kërkimore ndërdisiplinore, të cilat bashkojnë studiues, novatorë dhe profesionistë të tjerë, përfshirë specialistë të industrisë, nga Evropa dhe më gjerë, për të bashkëpunuar në tema të përbashkëta kërkimore përgjatë një periudhe katërvjeçare.

Financimi i COST-it mbulon kryesisht aktivitetet e rrjetëzimit dhe bashkëpunimit, dhe jo drejtpërdrejt kostot e zhvillimit të kërkimit shkencor. Mbështetja financiare mund të përdoret për aktivitete të tilla si:

  • Organizimi i takimeve, konferencave dhe aktiviteteve të tjera shkencore.
  • Misionet Shkencore Afatshkurtra (Short-Term Scientific Missions – STSM), të cilat u mundësojnë pjesëmarrësve të kryejnë vizita në institucione të tjera për shkëmbimin e njohurive dhe përvojave.
  • Shkollat e Trajnimit (Training Schools), që synojnë zhvillimin e aftësive dhe kompetencave profesionale.
  • Grante për pjesëmarrje në konferenca ndërkombëtare me interes shkencor.
  • Aktivitete komunikimi dhe shpërndarjeje të rezultateve.

Lloji i mbështetjes, kriteret e përfitimit dhe shuma e financimit varen nga aktiviteti përkatës dhe rregullat e Aksionit COST.

Kush mund të marrë pjesë?

Në Asionet COST mund të marrin pjesë kërkues shkencorë, novatorë dhe profesionistë nga universitetet, institutet kërkimore, industria dhe institucionet publike në Republikën e Shqipërisë, në çdo fushë të shkencës dhe teknologjisë.

Pjesëmarrja është e hapur për individë në faza të ndryshme të karrierës profesionale, përfshirë studentë të doktoraturës, studiues të rinj, pedagogë, kërkues me përvojë dhe profesionistë të tjerë që kontribuojnë në fushat përkatëse.

COST i kushton rëndësi të veçantë parimit të gjithëpërfshirjes dhe nxit pjesëmarrjen e studiuesve dhe novatorëve nga vendet anëtare ku kapacitetet kërkimore dhe burimet në dispozicion janë më të kufizuara. Në këtë mënyrë, programi synon të krijojë mundësi më të barabarta për bashkëpunim, shkëmbim njohurish dhe zhvillim profesional në nivel evropian.

Si mund të përfshihesh në COST?

COST të ofron mundësi të ndryshme për t’u përfshirë në bashkëpunimin shkencor evropian:

1. Management Committee (MC) – Komiteti i Menaxhimit

      Është organi që koordinon, drejton dhe mbikëqyr veprimtarinë e një COST Action gjatë katër viteve të tij. Anëtarët marrin pjesë në vendimmarrje dhe ndihmojnë që rrjeti të realizojë objektivat shkencorë.

      Çfarë bën një anëtar i MC-së?

      • Merr pjesë në mbledhjet e komitetit dhe në vendimet për aktivitetet e rrjetit.
      • Kontribuon në planifikimin dhe koordinimin e punës.
      • Ndihmon në organizimin e aktiviteteve dhe ndjekjen e progresit.
      • Përfaqëson komunitetin shkencor të vendit të vet dhe ndihmon në krijimin e lidhjeve me studiuesit vendas.

      Si mund të bëhesh anëtare?

      Duhet të identifikosh një COST Action që përputhet me fushën tënde, të kontaktosh drejtuesin e tij dhe Koordinatorin Kombëtar të COST-it në Shqipëri (CNC) në e-mail cost@nasri.gov.al . Emërimi bëhet përmes procedurës kombëtare; çdo vend anëtar mund të propozojë deri në dy përfaqësues për një aksion.

      Pse është e rëndësishme?

      Të jep mundësinë të ndikosh në drejtimin e rrjetit, të marrësh pjesë në vendimmarrje dhe të përfaqësosh ekspertizën e vendit tënd.

      2. Working Group (WG) – Grupi i Punës

        Është grupi ku zhvillohet puna konkrete shkencore dhe profesionale e një COST Action. Çdo grup pune ka detyra të caktuara që kontribuojnë në arritjen e objektivave të rrjetit.

        Një COST Action mund të ketë disa grupe pune, secili me një temë ose përgjegjësi të veçantë.

        Çfarë bën një anëtar i WG?

        • Kontribuon me njohuritë dhe përvojën e saj në temën e grupit.
        • Bashkëpunon me studiues nga universitete dhe institucione të vendeve të ndryshme.
        • Merr pjesë në takime, seminare, konferenca dhe trajnime.
        • Mund të kontribuojë në artikuj shkencorë, raporte, rekomandime ose materiale të tjera të rrjetit.
        • Mund të aplikojë për aktivitete të mbështetura financiarisht, nëse plotëson kushtet përkatëse.

        Pse është e rëndësishme?

        Mund të krijosh bashkëpunime ndërkombëtare, të zgjerosh përvojën tënde shkencore dhe të bëhesh pjesë aktive e një rrjeti evropian. Nuk është e nevojshme të jesh anëtar i Management Committee për të marrë pjesë në një Working Group.

        3. Krijimi i një COST Action të ri (Open Call)

        Është mundësia për të propozuar dhe ndërtuar një rrjet të ri ndërkombëtar rreth një ideje shkencore. Në këtë rast, nuk i bashkohesh vetëm një rrjeti ekzistues, por ndihmon në krijimin e tij.

        Propozimi duhet të plotësojë kriteret e thirrjes, përfshirë kërkesat për përbërjen ndërkombëtare dhe gjithëpërfshirjen. Ai vlerësohet në konkurrim me propozime të tjera dhe financimi nuk garantohet.

        Çfarë roli mund të kesh?

        Mund të jesh pjesë e ekipit propozues dhe, në varësi të rolit që merr përsipër, të kontribuosh në zhvillimin e idesë, koordinimin e partnerëve ose përgatitjen e propozimit. Nëse aksioni miratohet, anëtarët e Management Committee emërohen sipas procedurave përkatëse; pjesëmarrja në ekipin propozues nuk do të thotë automatikisht se do të jesh anëtar i MC-së.

        Pse është e rëndësishme?

        Të jep mundësinë të zhvillosh idenë tënde në një rrjet ndërkombëtar, të bashkosh ekspertë rreth një objektivi të përbashkët dhe të kontribuosh në përcaktimin e prioriteteve të bashkëpunimit shkencor.

        4. External Expert / Evaluator – Vlerësues i jashtëm i COST-it

        COST angazhon ekspertë të jashtëm të pavarur për të vlerësuar propozimet që paraqiten për krijimin e COST Actions të reja.

        Kontakt

        cost@nasri.gov.al

        Në këtë faqe

        Thirrje aktuale

        E hapur

        Thirrje e hapur në Management Committee (MC) në COST Actions

        Në kuadër të programit COST (European Cooperation in Science and Technology), janë miratuar 80 COST Actions të reja, të cilat synojnë të forcojnë bashkëpunimin shkencor ndërkombëtar dhe të krijojnë mundësi të reja për studiuesit…

        Afati 18.05.2029

        Dokumente dhe vendime

        • COST-OC-2025-1-approved-Actions-booklet.

          PDF · 1.2 MB · 19.05.2026

          Shiko Shkarko

        • COST_Albania_Factsheet_2019-2025

          PDF · 4.5 MB · 31.12.2025

          Shiko Shkarko

        • Aksionet COST — pyetje të shpeshta (F.A.Q.), AKKSHI 2026

          PDF · 835 KB · 26.08.2026

          Shiko Shkarko

        • Propozimet e përzgjedhura për Aksione COST — thirrja e hapur, mbledhja e 13 nëntorit 2020

          PDF · 515 KB · 13.11.2020

          Shiko Shkarko

        • Lista e Aksioneve COST të vitit 2020

          PDF · 117 KB · 06.01.2020

          Shiko Shkarko

        • Marrëdhëniet e COST me vendet e Ballkanit Perëndimor

          PDF · 400 KB · 26.09.2019

          Shiko Shkarko

        • Aksionet COST të miratuara nga Komiteti i Zyrtarëve të Lartë më 4 qershor 2019

          PDF · 318 KB · 04.06.2019

          Shiko Shkarko

        • Shqipëria në COST që prej vitit 2018 — aksionet në zbatim dhe pozicionet drejtuese

          PDF · 786 KB · 31.12.2018

          Shiko Shkarko

        • Fjalor udhëzues për njohjen e programeve të Komunitetit Europian: FP7, COST, EUREKA dhe Marie Curie

          PDF · 4.4 MB · 26.08.2009

          Shiko Shkarko

        • Vendim nr. 18, datë 18.06.2026 “Për miratimin e metodologjisë së vlerësimit dhe formateve përkatëse të Programit COST”

          PDF · 3.6 MB · 18.06.2026

          Shiko Shkarko

        • Vendim nr. 4 “Për miratimin e pagesës së kuotës ndërkombëtare për Programin COST”

          PDF · 410 KB · 27.06.2019

          Shiko Shkarko

        Si aplikohet

        Udhëzuesi dhe formularët e programit publikohen më poshtë. Aplikimet pranohen vetëm brenda afateve të thirrjes përkatëse.

        Shiko thirrjet e hapura info@nasri.gov.al