AKKSHI zhvilloi në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, Universiteti i Tiranës, një takim informues mbi programet europiane Horizon Europe dhe COST.

Takimi kishte si qëllim informimin e stafit akademik, kërkuesve shkencorë dhe doktorantëve mbi mundësitë e financimit, bashkëpunimit ndërkombëtar dhe pjesëmarrjes në projekte kërkimore europiane.

Gjatë aktivitetit u prezantuan mundësitë e programit Horizon Europe, me fokus të veçantë në Cluster 2 – Culture, Creativity and Inclusive Society, duke evidentuar fushat me interes për Fakultetin e Gjuhëve të Huaja, si trashëgimia kulturore, shumëgjuhësia, përkthimi, arsimi dhe përfshirja shoqërore.

Gjithashtu, u trajtuan hapat praktikë të aplikimit në thirrjet europiane, identifikimi i partnerëve ndërkombëtarë dhe krijimi i konsorciumeve, si dhe mundësitë e pjesëmarrjes në programin COST, përmes rrjeteve kërkimore, mobiliteteve dhe aktiviteteve të përbashkëta shkencore.