Programi Kombëtar i financimit të Doktoratës zbatohet mbi parimin “Një thirrje – dy kategori – një standard kombëtar”. Doktoratura kërkimore standarde (Kategoria A) dhe doktoratura industrial (Kategoria B) trajtohen si dy modalitete të së njëjtës skemë kombëtare financimi, me një kuadër të unifikuar administrativ, financiar, monitorues dhe të transparencës. Doktoratura industriale (Kategoria B) dallon vetëm për shkak të kërkesave të posaçme që burojnë nga bashkëpunimi i detyrueshëm dhe verifikueshëm ndërmjet institucionit të arsimit të lartë dhe partnerit industrial.
Programi synon të mbështesë zhvillimin e studiuesve të aftë për të realizuar kërkim shkencor të pavarur, të kontribuojë në rritjen e cilësisë dhe standardeve të formimit doktoral dhe të nxisë prodhimin e rezultateve kërkimore me vlerë dhe potencial për t’u përdorur në zhvillimin e shkencës, ekonomisë dhe politikave publike.
Në këtë kuadër, çdo projekt i propozuar për financim duhet të demonstrojë një problem ose pyetje kërkimore të qartë dhe origjinale, një metodologji të përshtatshme dhe të realizueshme, si dhe një plan të besueshëm për zhvillimin e kompetencave kërkimore të doktorantit dhe arritjen e rezultateve të parashikuara.