Në Universitetin e Elbasanit “Aleksandër Xhuvani” u zhvillua tryeza e hapur në kuadër të projektit kërkimor “Fenomeni i bullizmit dhe gjuhës diskriminuese mes fëmijëve dhe të rinjve në qarkun e Elbasanit: Studim për ndërhyrje dhe pilotim në Bashkinë Librazhd”, financuar nga Ministria e Arsimit dhe AKKSHI.

Aktiviteti mblodhi përfaqësues të pushtetit vendor, strukturave arsimore, shkollave, psikologë dhe përfaqësues të universitetit për të shkëmbyer mendime mbi fenomenin e bullizmit dhe mekanizmat e mbrojtjes dhe parandalimit të tij.

Gjatë tryezës u diskutuan aktivitetet e projektit dhe tre draft-pyetësorët e hartuar nga grupi i punës. Përmes këtij projekti kërkimor synohet të kontribuohet në kuptimin më të mirë të fenomenit të bullizmit dhe gjuhës diskriminuese, si dhe në identifikimin e mundësive për ndërhyrje konkrete në nivel vendor.