Ligji nr. 8549, datë 11.11.1999, “Statusi i nëpunësit civil”, përcakton rregulla të njëjta për kushtet dhe procedurat e pranimit në shërbimin civil, për mënyrën e fillimit dhe të mbarimit të marrëdhënieve të punës, për zhvillimin e karrierës, si dhe për garantimin e të drejtave dhe përcaktimin e detyrimeve të nëpunësve civilë, me synim krijimin e një shërbimi civil të qëndrueshëm, profesional dhe eficient.

Ligji përcakton skemën e administrimit të shërbimit civil dhe rregullon marrëdhëniet juridike ndërmjet nëpunësve civilë dhe institucioneve të administratës publike të nivelit qendror apo vendor. Nëpunës civilë janë ata nëpunës që ushtrojnë autoritetin publik në detyra të natyrës drejtuese, organizuese e mbikëqyrëse. Për çështjet që nuk rregullohen shprehimisht prej tij zbatohen Kodi i Punës dhe legjislacioni përkatës.