Vendimi nr. 178, datë 4.4.2007, i Këshillit të Ministrave ngarkon Ministrinë e Arsimit dhe Shkencës të marrë të gjitha masat e nevojshme për zbatimin e studimit të reformës së kërkimit shkencor, sipas tabelës aneks që i bashkëlidhet vendimit. Ai u mor në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të ligjit nr. 9655, datë 11.12.2006, “Për Akademinë e Shkencave të Republikës së Shqipërisë” dhe të ligjit nr. 8461, datë 25.2.1999, “Për arsimin e lartë në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e zëvendëskryeministrit.
Brenda dy muajve nga hyrja në fuqi, Ministria e Arsimit dhe Shkencës duhet të paraqesë për miratim në Këshillin e Ministrave paketën e plotë e të hollësishme për riorganizimin institucional të institucioneve të kërkimit që kanë qenë në varësi të Akademisë së Shkencave. Aneksi i vendimit përmban matricën e vlerësimit të instituteve kërkimore të Akademisë së Shkencave. Vendimi hyn në fuqi menjëherë.