Vendimi nr. 424, datë 6.8.1993, i Këshillit të Ministrave krijon Këshillin e Politikës Shkencore dhe të Zhvillimit Teknologjik pranë Këshillit të Ministrave, me propozimin e Komitetit të Shkencës dhe të Teknologjisë. Detyrat kryesore të Këshillit janë drejtimi dhe hartimi i politikës shkencore e të zhvillimit teknologjik të përshtatshme për zhvillimin ekonomiko-shoqëror të vendit, miratimi i drejtimeve e përparësive të kësaj politike dhe i programeve kombëtare të kërkimit e zhvillimit, vlerësimi periodik i arritjeve dhe përcaktimi i detyrave për organet shtetërore për zhvillimin e përdorimin e potencialeve shkencore.

Këshilli kryesohet nga Kryetari i Këshillit të Ministrave dhe ka në përbërje kryetarin e Komitetit të Shkencës dhe të Teknologjisë, ministrin e Arsimit, ministrin e Financave dhe të Ekonomisë, ministrin e Industrisë, Burimeve Minerare dhe Energjetike, ministrin e Bujqësisë dhe të Ushqimit, ministrin e Shëndetësisë dhe të Mbrojtjes së Mjedisit, ministrin për problemet e pushtetit lokal, kryetarin e Akademisë së Shkencave dhe pesë shkencëtarë.