Vendimi nr. 438, datë 2.7.2014, i Këshillit të Ministrave miraton Planin Kombëtar për Integrimin Evropian, 2014-2020 (PKIE), sipas tekstit që i bashkëlidhet vendimit. Ai u mor në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Integrimit Evropian.
Ministria e Integrimit Evropian orienton, bashkërendon dhe monitoron zbatimin e PKIE-së për çdo kapitull, nëpërmjet grupeve ndërinstitucionale të punës të ngritura me urdhrin nr. 107, datë 28.2.2014, të Kryeministrit, dhe raporton çdo tre muaj në Këshillin e Ministrave. Ministritë dhe institucionet e tjera qendrore në varësi të Këshillit të Ministrave raportojnë çdo tre muaj pranë Ministrisë së Integrimit Evropian për realizimin e detyrimeve që rrjedhin nga plani.