Vendimi nr. 260, datë 28.4.2005, i Këshillit të Ministrave miraton marrëveshjen ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Sllovenisë për bashkëpunimin shkencor dhe teknologjik. Vendimi u mor në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të neneve 17 e 23 të ligjit nr. 8371, datë 9.7.1998, “Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare”, me propozimin e Ministrit të Punëve të Jashtme.
Teksti i marrëveshjes i bashkëlidhet vendimit. Palët kontraktuese shprehin dëshirën për të inkurajuar dhe nxitur bashkëpunimin në fushat e shkencës dhe teknologjisë mbi bazën e barazisë dhe të përfitimeve reciproke, duke pranuar avantazhet që u vijnë popujve të të dy vendeve nga rritja e bashkëpunimit. Vendimi hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare.