Ligji nr. 152/2013 “Për nëpunësin civil” ka për qëllim krijimin e një shërbimi civil të qëndrueshëm, profesional, të bazuar në meritë, integritet moral dhe paanësi politike. Ai rregullon marrëdhënien juridike ndërmjet shtetit dhe nëpunësit civil dhe përcakton rregullat për administrimin e shërbimit civil; kjo marrëdhënie është marrëdhënie juridike e natyrës administrative.

Sipas nenit 2, ligji zbatohet për çdo nëpunës që ushtron një funksion publik në një institucion të administratës shtetërore, institucion të pavarur apo njësi të qeverisjes vendore, me përjashtimet e parashikuara shprehimisht, ndër të tjera të zgjedhurit, ministrat e zëvendësministrat, funksionarët e emëruar nga Kuvendi, Presidenti i Republikës ose Këshilli i Ministrave, gjyqtarët e prokurorët, nëpunësit e administratës gjyqësore dhe ushtarakët e Forcave të Armatosura.