Ligji nr. 9655, datë 11.12.2006, rregullon statusin, funksionet dhe organizimin e Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë. Akademia përcaktohet si institucion shkencor që vepron nëpërmjet një bashkësie të zgjedhur shkencëtarësh, person juridik publik me seli në Tiranë, dhe institucion autonom që e mbështet veprimtarinë në të vërtetën shkencore dhe në interesat kombëtarë.
Sipas nenit 4, Akademia bashkëpunon me institucione kërkimore dhe mësimore brenda e jashtë vendit për kryerjen e studimeve në fusha të ndryshme të shkencës, propozon fusha të reja kërkimore e studimore në përputhje me nevojat e zhvillimit të vendit, u ofron institucioneve të larta shtetërore këshillimin dhe ekspertizën e nevojshme, boton organe periodike e vepra me nivel të lartë shkencor dhe organizon kongrese e konferenca shkencore.