Protokolli zbaton Marrëveshjen ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës për bashkëpunimin në fushën e arsimit dhe shkencës, nënshkruar më 8.03.2010, hyrë në fuqi më 1.12.2011 dhe miratuar me vendimin nr. 265, datë 21.04.2010, të Këshillit të Ministrave. Palët zbatuese janë Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Agjencia Kombëtare e Kërkimit Shkencor dhe Inovacionit (AKKSHI) dhe Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë e Kosovës.
Sipas nenit 1, qëllimi i programit është financimi i projekteve të përbashkëta kërkimore, për të stimuluar bashkëpunimin ndërkombëtar kërkimor mes institucioneve kërkimore-shkencore dhe komuniteteve shkencore të të dyja vendeve, si dhe për t’u ofruar kërkuesve mundësinë të punojnë në një mjedis ndërkombëtar dhe të zhvillojnë karrierën e tyre shkencore.